BERZH: Mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) organizon nesër më 26 shkurt në Londër, Samitin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024.

“Në këtë aktivitet do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare”, thuhet në njoftim.

Cani Travel

BERZH ka bërë të ditur se në këtë ngjarje do të ketë një sesion interaktiv të kryeministrave, të cilin e konsideron si pikë kryesore.

Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji. Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor ishte mbajtur dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe për herë të parë ishin mbledhur të gjithë kryeministrat e rajonit.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me prioritet për BERZH që përfshin Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Banka Europiane është një nga investitorët më të mëdhenj institucional në regjion, duke investuar më shumë se 18 milardë euro atje deri më sot”, thuhet në njoftimin e BERZH-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhtuar për në Londër ku do të marrë pjesë në këtë samit, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.