Bruksel: Bisedë për sfidat e shqiptarëve të Luginës

Kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar (KNSh), Nevzad Lutfiu dhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin janë takuar me emisarin e Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak me të cilin kanë biseduar për sfidat me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e Luginës.

Këtë e bëri të ditur Lutfiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebok duke shkruar se ata e informuan Lajçakun edhe për mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore.

Cani Travel

“E njoftuam Lajçak për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve.

Mosintegrimi  i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”, ka shkruar Lutfiu.

Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën.

Mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Prandaj edhe komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend.

Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vëshirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë, ka shkruar Lutfiu.