Në Bundestagun gjerman ndodhi dje ajo që nuk ndodhi kurrë më parë. Një propozim i rëndësishëm i Unionit konservator CDU/CSU për ashpërsimin e politikës së migrimit u miratua në parlament me ndihmën e votave të partisë djathtiste ekstremiste, AfD (Aleanca për Gjermaninë).
Për këtë propozim votuan 348 deputetë, kundër ishin 345 dhe dhjetë abstenuan. Socialdemokratët (SPD), të Gjelbërit dhe majtistët e refuzuan atë.
Unioni CDU/CSU dhe kandidati i tyre për kancelar, Friedrich Merz kërkojnë ndalimin e futjes së migrantëve ilegalë në vend dhe dëbimin e atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani.
Ndër pesë pikat që sipas CDU/CSU duhet të zbatohen menjëherë, bën pjesë edhe „arrestimi i menjëhershëm dhe mbajtja në paraburgim“ e personave të cilët janë të detyruar të largohen nga Gjermania.
Socialdemokratët paralajmëruan më parë unionin CDU/CSU që të mos vendosë, së bashku me AfD, për të ashpërsuar politikën gjermane të migrimit. Përfaqësuesit e majtistëve theksuan në debat se vetëm dy ditë pas shënimit të 80-vjetorit nga çlirimi i Auschwitz, Parlamenti Gjerman po merr një vendim të rëndësishëm me ndihmën e deputetëve të partisë ekstremiste djathtiste, AFD.