Bärbel Bas kryetare e Bundestagut gjerman

Sot në Berlin po mbahet seanca konstitutive e Bundestagut gjerman. Bundestagu ka numër rekord të deputetëve.

Cani Travel

Seancën konstitutive e drejtoi kryetari i deritanishëm Wolfgang Schäuble nga partia CDU. Bundestagu gjerman do të ketë në përbërjen e re një numër rekord prej 736 deputetësh, që sipas disa vlerësimeve, Gjermanisë do t’i kushtojë rreth 410 milionë euro më shumë se në mandatin e kaluar. Kjo përbërje e Bundestagut do të jetë mesatarisht dy vjet më e re se e kaluara, sepse mosha mesatare e deputetëve do të jetë 47 vjet.

Gratë e marrin pushtetin

Sociacemokratët kanë propozuar që kryetare e parlamentit të zgjidhet Bärbel Bas. Ajo edhe u zgjodh kryetare me një shumicë të madhe votash. Ndërsa SPD për zëvendëkryetare ka propozuar Aydan Özoguz. Gra në postet e nënkryetareve kanë propozuar edhe Unioni CDU/CSU ( Yvonne Magwas), ekologjistët (Claudia Roth dhe e Majta (Petra Pau). Ndërsa burra kanë propozuar liberalët (Wolfgang Kubicki) dhe AfD ( Michael Kaufmann). Të gjithë ata janë zgjedhur për nënkryetarë, përveç kandidatit të AfD.

Bas është kryetarja e tretë e Bundestagut, pasi në të kaluarën ka pasur vetëm dy kryetare. Në vitin 1972 në këtë post është zgjedhur socialdemokratja Annemarie Renger, që ishte një ngjarje historike. Ndërsa kristiandemokratja Rita Süsmuth ishte në krye të Bundestagut prej vitit 1988 deri 1998.

Grindjet

Ndryshe Partia liberale (FDP) ka kërkuar që në Bundestag të ndryshohet edhe renditja e ulëseve, sepse ata nuk duan të jenë afër partisë AfD. Liberalët duan të zëvendësojnë ulëset me partinë e Unionit CDU/CSU, të cilat sipas të gjitha gjasave do të jenë në opozitë. Por partitë e Unionit janë kundër, sepse sipas shpjegimit të tyre, liberalët gjithmonë në Bundestag kanë qenë të ulur në krahun e djathtë të tyre.