Çmimet e larta të banesave në Gjermani

Gjithnjë e më shumë njerëz po dëshpërohen duke kërkuar një banesë me qira të përballueshme në Gjermani. Kjo ka potencial shpërthyes në shoqëri. Oferta është e pakët, qiratë po rriten, të ardhurat nuk mjaftojnë për të paguar qiranë.

Sipas Entit Federal të Statistikave, të ardhurat mesatare neto në Gjermani, pra ato që mbeten pas zbritjes së taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, janë 2.165 euro. Rreth një e treta e të ardhurave shpenzohet për qira. Megjithatë, kur bëhet fjalë për qira të reja, kjo shpesh nuk është më e mjaftueshme.

Cani Travel

Në Mynih, një metër katror kushton 19 euro me qira, në Shtutgart 18 euro, në Dyseldorf dhe Këln 12 deri në 13 euro dhe në Berlin 11 euro. “Kërkesa e lartë për hapësirë ​​jetese të përballueshme plotëson rritjen historike të qirasë dhe ofertën që është shumë e pakët”, thuhet në një deklaratë aktuale nga portali online Immoscout24.

Gjermania tradicionalisht është një vend i qiraxhinjve. Ndërsa kuota e pronësisë në Europë mesatarisht është rreth 70 përqind, në Gjermani vetëm 46 për qind jetojnë në banesa të tyre private. Në qytetet e mëdha kjo kuotë është edhe më e ulët. Në Hamburg vetëm 22 për qind banojnë në shtëpinë e tyre, në Berlin madje vetëm 14 për qind.

Shoqatat sociale paralajmërojnë, se banimi po kthehet gjithnjë e më shumë në një çështje ekzistenciale në Gjermani. Kjo krijon tensione me potencial shpërthyes në shoqëri. Një banesë me çmim të arsyeshëm është e drejtë e njeriut, theksojnë këto shoqata.

(DW)