Mërgata kosovare vazhdon t’i shpenzojë paratë e saj në Kosovë, në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave.
Kështu thotë për Ekonomia Online, pronari i kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ai për Ekonomia Online, tha se në kompaninë e tij rreth 70 për qind e blerësve janë nga diaspora. E kjo sipas Pozhegut ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimeve në Evropë.
“Shumica e blerësve për momentin në kompaninë tonë janë nga diaspora mbi 60-70 për qind, për shkak se atje është rritë norma interesit, janë rritë çmimet e pronave, për ata është më e lirë me ble në Kosovë, për momentin se sa me ble nga vendi ku jetojnë. Çmimet janë kemi prona që fillojnë prej 999 euro për M2 deri te 1400 euro, varësisht prej lokacionit e në cilën fazë të ndërtimit dhe si është mënyra pagesës”, thotë Pozhegu.
Mirëpo, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë për Ekonomia Online se blerjet e patundshmërive nga diaspora nuk duhet të llogariten si investime të huaja. Kjo gjë bëhet nëse krijohen vende të reja të punës.
“Sot për fat të keq në Kosovë nuk dëshiron askush të investojë, dhe ajo çka është më shqetësuese në Kosovë numërohen njerëz të cilët e braktisin Kosovën, por kurrë nuk e analizon dikush faktin sa po ik kapitali i komunitetit të biznesit dhe i qytetareve jashtë Kosovës. Ne kemi rënie apo tkurrje të eksportit në vitin 2023, ne kemi rënie të investimeve kapitale, ne kemi do të thotë rritje të varfërisë, dhe nëse këto janë indikatorë pozitivë atëherë defintivisht është një fenomen që shkenca duhet t’i hulumtojë”, u shpreh Gërxhaliu.