Dita e Flamurit po festohet sot edhe në Luginën e Preshevës.
Për nder të 111-të vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc është vendosur flamuri shqiptar. Flamuri është vendosur nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, i cili ka postuar në Facebook edhe një video ku shihet duke vendosur flamurin shqiptar në hapësirat e institucionit që ai e udhëheqë.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka vendosur dje flamurin kombëtar shqiptar në godinën e komunës së Preshevës. Ai tha se kjo është hera e shtatë radhazi në historinë e Preshevës, ku kryetari i komunës vendos flamurin kombëtar në komunën e Preshëvës.
„Përshendetje gjithë shqiptarëve anë e mbarë botës, edhe në Luginën e Preshevës, për hir të 28 Nëntorit e vendosim sot në godinën e komunës, flamurin kombëtar për së shtati herë kësaj radhe. Ne ua urojmë festën të gjithëve dhe ju faleminderit për mbështetjen, mos na harroni se jemi duke mbijetuar këtu dhe duke shpresuar që ju nuk na harroni kurrë“, ka thënë Arifi.