Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është tashmë realitet në shumë kompani gjermane. Një zgjidhje për këtë problem mund të jetë integrimi i shpejtë i personelit të kualifikuar nga vendet e tjera. Prandaj, qeveria gjermane miratoi dje (29.03.2023) Projektligjin e ri për migracionin që synon të përshpejtojë këtë proces. Me këtë ligj parashikohet edhe dyfishimi i kontingjentit të punëtorëve sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, rregullorja do të bëhet pa afat.
Me ligjin e ri për migracionin, Gjermania planifikon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor të vijnë për të punuar në Gjermani. Kjo do të thotë se kontingjenti nga Ballkani Perëndimor do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit. Po ashtu, ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dheSerbia)qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat.
„Sigurimi i punëtorëve të kualifikuar është një nga detyrat më të mëdha ekonomike të Gjermanisë për dekadat e ardhshme“, tha ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, duke e prezantuar projektligjin për migracionin. Sipas të dhënave tëMinistrisë së Punës, numri i vendeve të lira të punës në vitin 2022 ishte në një nivel rekord prej afër 2 milionë.