A e ka ndihmuar Sekretari i Shtetit të Robert Habeckut një mikun e vet që të gjente një punë fitimprurëse? Ekspertët e antikorrupsionit thonë se standardet për dhënien e posteve në Gjermani janë shumë të dobëta.
Nepotizëm, në mos korrupsion? Vëmendja e medias në Gjermani është drejtuar aktualisht tek ministri i Ekonomisë Robert Habeck. Arsyeja është Sekretari i Shtetit në ministrinë e tij, Patrick Graichen. Pyetja që duan të gjejnë përgjigje gazetarët: a i favorizonte Graichen miqtë kur jepnin punë fitimprurëse?
Dëshmitari i kurorëzimit si aplikues
Çfarë ka ndodhur konkretisht? Agjencia Shtetërore e Energjive të Rinovueshme (DENA) kërkonte një menaxher të ri. Ky është një post i mirëpaguar dhe me shumë reputacion. DENA është themeluar në vitin 2000 me qëllim që të bëjë reklamë në mbarë botën për tranzicionin energjetik të Gjermanisë, pra, rrugën e daljes nga karburantet fosile. Pas një procesi të gjerë aplikimesh, posti iu dha Michael Schäfer-it.
Sikurse Graichen, Schäfer ka qenë prej kohësh i përfshirë në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit. Nga dhjetori i vitit 2016 deri në vitin 2017 ka qenë menaxher projekti për politikat industriale në think tankun “Agora Energiewende” ku për një kohë të gjatë ka punuar edhe sekretari i shtetit Graichen. Nga viti 2017 deri në vitin 2020 ai drejtoi departamentin e mbrojtjes së klimës dhe politikave të energjisë në organizatën mjedisore WWF dhe më pas u kthye sërish në Agora Energiewende. Vetëm pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes, Graichen tha se Schäfer është mik i ngushtë i tij dhe madje kishte qenë dëshmitar në kurorëzimin martesor. Greichen ia pranoi këtë Habeckut një javë më parë.
Aplikimi po rihapet
Në Ministrinë e Ekonomisë, Graichen ishte njëri nga tre personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes. Tashmë i gjithë procesi i kandidimit me gjasë do të kryhet sërish, por vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli Mbikëqyrës i DENA-s. Schäfer duhej të merrte postin e tij të ri më 15 qershor, por kjo nuk do të ndodhë.
CDU: „Vetëm një klan i vogël familjar“
Kritikat nga opozita nuk vonuan: Habecku ka ngritur një kabinet kuzhine në aparatin e tij, tha Sekretari i Përgjithshëm i Unionoit Kristiandemokrat, CDU, Mario Czaja. Ambienti i Habeckut është „thjesht një klan i vogël familjar, ku të gjithë janë ose miq ose krushq me njëri tjetrin”. Czaja kërkon dorëheqjen e Graichen.
Habecku vetë e quajti sjelljen e Graichenit të gabuar, por e mori në mbrojtje sekretarin e Shtetit. „Për mendimin tim, Patrick Graichen është njeriu që shpëtoi Gjermaninë nga një krizë e rëndë energjitike“, tha politikani i Të Gjelbërve. Në fakt, Graichen luajti një rol kyç në ndërtimin e terminaleve të reja të gazit të lëngshëm për të reduktuar varësinë nga gazi rus pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Lidhje të tjera familjare
Ky nuk është i vetmi problem, përse po përflitet kaq shumë tani zëvendëskancelari Habeck. Edhe motra e Graichenit eshte e martuar me një tjetër sekretar të shtetit në ministrinë e Ekonomisë, Michael Kellner. Ajo është e punësuar në një pozicion të lartë në institutin e njohur “Öko” në Freiburg. Por ky institut ka përgatitur studime për qeverinë federale për një kohë të gjatë, madje edhe para se Habeck të ishte ministër dhe zëvendëskancelar. Pra, a ka një klan Habeck?
Organizata kundër korrupsionit “Transparency International” ka një qëndrim kritik ndaj çështjes Graichen: “Ministria duhet ta kishte trajtuar ndryshe procesin e përzgjedhjes në post qysh në fillim”, kritikon drejtoresha menaxhuese e Transparency, Anna-Maija Mertens.
„Nëse një kandidat është njeriu më i mirë i Sekretarit të Shtetit, atëherë është pjesë e bazave që sekretari i shtetit ta zbulojë këtë dhe të mos përfshihet në përzgjedhje.“ Në të vërtetë, Graichen e bëri këtë vetëm shumë vonë. Dhe Mertens vazhdon: “Edhe nëse ka dyshime për konflikt interesi, kjo mund të nënkuptojë dëmtim të besimit te institucionet”.
Kritika erdhën edhe nga koalicioni qeverisës i qendrës së majtë, që përbëhet nga socialdemokratët, të Gjelbrit dhe liberalët. Torsten Herbst, menaxher parlamentar i grupit parlamentar dhe anëtar i bordit ekzekutiv federal të Liberalëve, (FDP) tha për gazetën zvicerane në gjermanisht, „Neue Züricher Zeitung“, se „Robert Habeck duhet të shqyrtojë në detaje se çfarë ndikimi ka lënë sjellja e Sekretarit të Shtetit Graichen në reputacionin e ministrisë së tij dhe besimin në politikë.“
Koalicioni aktual në Gjermani, i ardhur në detyrë që nga dhjetori 2021, në fakt ka premtuar të rrisë transparencën dhe të ndërmarrë veprime më të forta kundër përfitimeve nga postet. “Marrëveshja e koalicionit na obligon që të punojmë më ngushtë për veprën penale të mitëmarrjes dhe korrupsionit. Ne do të diskutojmë në koalicion se si mund ta realizojmë këtë”, tha për DW në fillim të mandatit, zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Rabea Boenninghausen.
Gjermania, vendi i dhjetë për „transparencë“
Pra, është ky një rast i vetmuar? Për të katërtin vit radhazi sektori publik gjerman është renditur i 10-ti në Indeksin vjetor pe korrupsionin të TI. Në indeksin për vitin 2021, Gjermania shënoi 80 nga 100 pikë. Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda mbajnë sërish vendet e para me 88 pikë secila. Gjithsej indeksi përmban 180 vende.
Indeksi tregon për Gjermaninë se sektori publik perceptohet si i pakorruptuar. Prandaj edhe mendohet se Gjermania konsiderohet një vend ku nepotizmi është më pak i zakonshëm se kudo tjetër. Indeksi tregon edhe se sa efektive janë ligjet dhe politikat në luftimin e praktikave korruptive si abuzimi me pushtetin, ryshfetet dhe përvetësimi i fondeve publike.
Lobby Control: Mbizotëron parimi i mirëbesimit
Megjithatë, qeveria nuk po bën mjaftueshëm kur bëhet fjalë për problemin specifik të plotësimit të vendeve vakante, konstaton organizata Lobby Control. Timo Lange, menaxher i saj, i tha gazetës së përjavshme „Die Zeit“ se zënia e vendeve vakante deri më tani është bërë në “bazë të mirëbesimit”, pra, u është lënë në dorë shefave vetë që të vendosin për personat që marrin poste kyçe, duke mirëbesuar se ata do të jenë transparentë. Por kjo, siç mund të shihet në këtë rast, nuk funksionon. Lobby-Control është për standardizimin e procedurave, siç janë pyetësorët, që duhet të plotësojnë personat e përfshirë në ndarjen e vendeve të punës qysh në fillim të procedurës, në të cilët ata zbulojnë marrëdhëniet e tyre me aplikantët. DW