Ekonomistët: Buxheti i Kosovës për 2024 nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve

Buxheti i Kosovës për vitin 2024, pritet të jetë 3.3 miliardë euro, e përmes të cilit pritet të forcohet mbrojtja, të rritet siguria e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik. Ekonomistët ndërkaq vlerësojnë se ky buxhet është social dhe nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve.

Buxheti i Kosovës në vlerë prej 3.3 miliardë eurosh, nuk ka argumente që mund të quhet si një sukses zhvillimor. Kështu vlerëson njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, duke folur për Radio Kosovën, ndërsa shton se ky buxhet më tepër është i shpërndarë në siguri dhe mbrojtje, duke lënë anash investimet kapitale, që çojnë drejt zhvillimit ekonomik të vendit.

Cani Travel

“Pjesa dërmuese e buxhetit është orientuar në politika sociale dhe siguri, orientimi drejt politikave sociale është një përgatitje për zgjedhje eventuale, por sektori privat dhe ekonomia është anashkaluar. Ministria e Tregtisë ka vetëm 1 për qind të projeksioneve buxhetore për vitin 2024 dhe këtu e sheh që definitivisht  ekonomia po lihet anash, dhe në fund të fundit edhe kjo politikë sociale, është qasje e gabuar, sepse vetëm përmes zhvillimit ekonomik dhe sektorit privat, mund të arrihen efektet e dëshiruara”, tha ai.

Nga ana tjetër, sipas njohësit të ekonomisë, Ardijan Sahiti, ky buxhet pritet të japë rezultate të mira në fushat që është përcaktuar.

“Investimi në arsim krijon një bazë të qëndrueshme për një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen, nuk janë efektet në afatshkurtër, por në të ardhmen po. Është siguria ku ka një rritje të mirë dhe në përgjithësi ky buxhet që është aprovuar në lexim të parë, jep një bazë për zhvillim të qëndrueshëm në një periudhë afatmesme”, theksoi ai.

Buxheti për vitin 2024, është kritikuar ashpër nga opozita, duke thënë se nuk përbën asnjë projekt zhvillimor.

Pas miratimit në lexim të parë të këtij projektligji, fillojnë afatet kohore brenda të cilëve opozita ka mundësinë të dërgojë vërejtjet e saj lidhur me buxhetin, i cili sipas planifikimeve të qeverisë, pritet të dalë në votim për miratim përfundimtar me 14 dhjetor.

(RTK)