Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar me titullin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës” sopranon e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi. Ajo është nderuar „për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës shqiptare gjithandej nëpër botë”.
Lajmin për marrjen e titullit të amasadores së nderit e bëri të ditur vetë sopranoja Elbenita Kajtazi, e cila është shprehur e lumtur për nderin.
“Ardhja, kësaj herë në Atdhe më mbushi, përveç me dashurinë e pakursyeshme të familjes e të miqve, edhe me një kënaqësi të paprovuar deri më tani. Kjo, sa më gëzoi, po aq më ngarkoi me një obligim shtesë, që ta përfaqësoj edhe më mirë atdheun tim dhe veten në skenat botërore të Operës”, ka shkruar Kajtazi në Facebook.
Këngëtarja e njohur e muzikës klasike, Elbenita Kajtazi ka lindur në Kosovë, por që 9 vjet jeton dhe vepron në Gjermani, ku ka një karrierë të suksessshme. Ajo prezantohet edhe në skena të shumta të operës anembanë botës.