Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan e tërhoqi vendimin për shpalljen persona non grata të 10 ambasadorëve perëndimorë, ndër ta edhe ambasadori amerikan, gjerman, francez… Pas protestave të shumta dhe acarimit të raporteve me disa nga vendet kryesore perëndimore, Erdogan tha në Ankara, se „ambasadorët janë tërhequr nga qendrimet e tyre“ dhe „në të ardhmen do të jenë më të kujdesshëm“.
Ambasadorët e prekur kanë postuar në Twitter një deklaratë, ku thonë se ata i përmbahen Konventës së Vjenës për të mos ndëryhrë në punët e brendshme të vendit ku kryejnë shërbimin.
Kriza dhe acarimi
„Synimi ynë nuk ishte të shkaktonim një krizë“, u shpreh më tej Erdogan. Ne kishim për qëllim të mbronim të drejtat e sovranitetit të Turqisë. Kreu i shtetit Erdogan në fundjavë shkaktoi një skandal kur deklaroi, se dhjetë ambasadorë perëndimorë do t’i shpallë persona të padëshiruar – pas deklaratës së tyre me të cilën kërkonin lirimin e aktivistit të shoqërisë civile Osman Kavala.
64-vjeçari Kavala ndodhet në arrest hetimor në Stamboll që nga viti 2017, ndonëse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka udhëzuar më 2019 lirimin e tij.
Kavala menaxhon një nga shtëpitë botuese më të mëdha në Turqi dhe angazhohet me organizatën e tij Anadolu Kültür për dialogun me grupet etnike si dhe në konfliktin me kurdët apo me Armeninë.
Ai është edhe themeluesi i degës turke të fondacionit Shoqëria e Hapur të filantropit nga SHBA George Soros.