Policia gjermane njoftoi se shtatë tifozë të ekipit kombëtar të Serbisë janë arrestuar dje, pasi ishin përfshirë në një përleshje në qytetin Gelsenkirchen në Gjermani. Incidenti ndodhi para ndeshjes së Serbisë kundër Anglisë në Kampionatin Evropian të futbollit.
Një zëdhënës i policisë tha për AFP se kundër njërit prej tifozëve u ngrit padi për lëndime të rrezikshme trupore.
Më herët, policia tha se u detyrua t’i ndajë tifozët anglezë dhe ata serbë, të cilët u përleshën mes vete para ndeshjes.
Bëhet e ditur se asnjë tifoz anglez nuk u arrestua.
Anglia e mposhti me 1:0 Serbinë në ndeshjen e tyre në Grupin C.