Të dhënat e Eurostat tregojnë se vlera e remitencave që hynë në Shqipëri vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë të dekadës së fundit.
Sipas Eurostat, remitencat arritën vlerën e më shumë se 1.2 miliardë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitencave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit.
Megjithatë, Shqipëria është poshtë mesatares së rajonit të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket peshës që remitancat kanë kundrejt ekonomisë së vendit. Për vitin 2022, mesatarja e vlerës së remitancave kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pranë nivelit të 10.5% (matur si mesatare e thjeshtë e raportit për 6 vendet e rajonit), transmeton monitor.
Të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se vendi me varësinë më të madhe nga remitencat në Rajon ngelet Kosova. Për vitin 2022, remitancat përbënin 17.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Vijon Mali i Zi, me 13.3%, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 10.2%. Shqipëria renditet në vendin e katërt, me një vlerë remitancash sa 9.2% e PBB-së së vendit.
Vijon me diferencë të ngushtë Serbia, në masën e 9% të PBB-së, ndërsa mbyll renditjen Maqedonia e Veriut, me 3.4% të PBB-së.