Sot shënohet 535 vjetori i themelimit të Horës së Arbëreshëve në Sicili të Italisë. Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488, nga një grup shqiptarësh të larguar nga trojet e tyre. Thuhet se shumë prej anëtarëve të parë të kësaj bashkësie ishin nga zona e Himarës.
Tradita e festimit ka marrë formë zyrtare në vitin 2017, dhe prej këtij viti nderohet si një ngjarje kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetet arbëreshe, në vazhdimin dhe forcimin e rrënjëve, traditës, historisë, gjuhës dhe identitetit arbëresh.
Aktivitetet artistiko-kulturore të këtij viti nisën që në datën 28 gusht.
Hora e Arbëreshëvet (apo Piani degli Albanesi, siç njihet në gjuhë italiane ) me 6.427 banorë, konsiderohet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të mëdha te komuniteteve historike shqiptare të Italisë.
Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.