Pavarësisht një viti të turbullt për shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës, pozita e këtij vendi në rrugën drejt demokratizimit ka mbetur e njëjtë me atë të vitit të kaluar, është thënë në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare, Freedom House për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë.
Problemet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kyçe në rrugën e Kosovës përpara.
Në vlerësimin për vitin 2023, prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta më të lartin, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.
Sa u përket vendeve të rajonit, Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë ndryshuar, po ashtu, pozitë, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.
Në pjesën për Kosovën, në raport përmendet se më 2023, mospajtimet me Serbinë kanë hyrë në një fazë të re të përshkallëzimit të tensioneve.
“Protestuesit serbë të Kosovës janë përleshur dhe i kanë plagosur 30 trupa të NATO-s në maj, dhe serbë të armatosur kanë kryer sulm në shtator, në të cilin janë vrarë katër persona, përfshirë një zyrtar policor”, është thënë në raport.
Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për organizim dhe kryerje të sulmit, mirëpo Beogradi zyrtar i hedh poshtë vazhdimisht akuzat.
“Në shumë vende, por sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor, liderët politikë po e shfrytëzojnë fokusin më të madh në sigurinë rajonale si arsyetim për t’i përmbysur institucionet demokratike dhe për t’i shmangur normat demokratike”.
Në raport është përmendur, po ashtu se Qeveria aktuale në Kosovë, e cila e ka nisur udhëheqësinë më 2021, “është përpjekur që ta largojë vendin prej trashëgimisë së konfliktit parlamentar, duke promovuar një agjendë reformash të bazuara në sundim të ligjit”.
“Kryeministri Albin Kurti ka iniciuar proces të ri vettingut për gjyqtarët. Mirëpo, refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës vazhdon të jetë barrierë e madhe për demokratizim. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në fillim të vitit 2023, vitin e ka përcjellë jostabiliteti dhe përshkallëzimi i dhunës së nxitur pjesërisht prej lidhjeve jozyrtare të Beogradit me grupet e organizuara kriminale”.
(Radio Evropa e Lirë)