Agjencia e Statistikave të Kosovës bëri të ditur se sot (05 prill 2024) fillon procesi i regjistrimit të popullsisë në vend, i cili do të zgjasë deri më 17 maj.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2000 euro për person.
“Përfshirja juaj në regjistrimin e popullsisë është një hap drejt sigurimit të një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të barabartë për të gjithë’, thuhet në njoftim.
Kësaj radhe regjistrimit do t’i nënshtrohet edhe diaspora. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.
Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.