Fitore e opozitës në Maqedoninë e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, që u mbajtën më 8 maj.

VMRO DPMNE-ja, deri tash në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.

Cani Travel

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave.

VMRO DPMNE-ja shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Opozita shqiptare u deklarua për një qeverisje me VMRO DPMNE-në.

“Besojmë se, duke i pasur parasysh numrat, do të kemi një shumicë të sigurt, andaj jemi të bindur se Qeveria e re do të formohet shumë shpejt”, tha Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili gjatë fushatës ka kritikuar vazhdimisht VMRO DPMNE-në për, siç ka thënë, “politika antievropiane”, bëri thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve, të shprehur në zgjedhje, me qëllim të, siç tha, ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit.

“Sot, shteti jonë më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, luftë kundër korrupsionit dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Ahmeti.

(Radio Evropa e Lirë)