FMN: Pritjet për rritjen ekonomike në Gjermani vazhdojnë të ulen

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk sheh ndonjë ndryshim për dobësimin e ekonomisë gjermane.  Në vitin e ardhshëm, prodhimi ekonomik gjerman do të rritet me vetëm 0,8 për qind, që është 0,5 pikë përqindjeje më pak se sa ishte parashikuar në korrik, sipas të dhënave nga parashikimi i fundit i FMN-së.

Për vitin aktual 2024, FMN parashikon rritjen më të dobët për Gjermaninë midis vendeve kryesore industriale (G7). FMN-ja tani pret rritje prej zero për qind, që është 0.2 pikë më pak se parashikimi në korrik. Sipas parashikimit, Gjermania duhet të jetë në fund vitin e ardhshëm së bashku me Italinë.

Cani Travel

„Gjermania do të rëndohet nga problemet me konsolidimin e buxhetit dhe një rënie e madhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme“, thotë parashikimi i FMN-së, i cili ka kritikuar prej kohësh problemet strukturore në Gjermani si mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Edhe vetëpërmbajtja e konsumatorëve në shpenzime reflektohet në këtë gjendje të përgjithshme.

Qeveria gjermane madje llogarit me një recesion këtë vit, por është më optimiste se FMN-ja për rritjen ekonomike në vitin e ardhshëm. Sipas informacioneve të fundit, qeveria pret në vitin 2025 një rritje prej 1,1 për qind. I ngjashëm është edhe parashikimi i publikuar në fund të shtatorit nga organizata e shteteve më të industrializuara, OECD, e cila supozon rritje ekonomike prej 1,0 për qind.

Perspektiva e FMN-së për ekonominë globale është disi më e mirë – por jo tepër e mirë. Pritet një rritje prej 3,2 për qind si këtë vit ashtu edhe vitin e ardhshëm.

(DW)