Freedom House: Kosova dhe Shqipëria vende „pjesërisht të lira“

Organizata „Freedom House“ me seli në Uashington ka publikuar raportin vjetor, ku vlerëson se Kosova dhe Shqipëria mbesin vende “pjesërisht të lira” pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.

Në raportin mbi “Lirinë në Botë”, Kosova këtë vit vlerësohet me 60 pikë nga 100 pikë maksimale, pa ndryshime nga viti i kaluar. Në të kaluarën, organizata “Freedom House” e ka cilësuar Kosovën si vend në tranzicion me një sistem hibrid qeverisjeje.

Cani Travel

Në indeksin e Lirisë Globale Shqipëria vlerësohet me 68 pikë, duke shënuar përparim me një pikë në raport me vlerësimin e vitit të kaluar. Shqipëria po ashtu konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes.

Ndërkaq, „Freedom House“ thekson se Serbia ka shënuar rënien më të madhe në Evropë. Ajo është vlerësuar me 57 pikë, duke rënë tre pikë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive qytetare nga viti i kaluar. Serbia është po ashtu në listën e shteteve që, sipas organizatës, shënuan rënien më të madhe të lirisë në dekadën e fundit, me 21 pikë.

Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi thotë  se zgjedhjet e mbajtura në Serbi në fund të vitit 2023, të sfiduara nga partitë opozitare “ishin vetëm një nga arsyet e rënies.” Sipas saj, këtu duhet edhe mungesën e transparencës rreth prokurimit, projekteve në infrastrukturë dhe politikave të zhvillimit ekonomik, por edhe fushatat denigruese ndaj udhëheqësve opozitarë dhe kritikëve të regjimit të Beogradit.

“Aktualisht ekziston frika e ndonjë lloj hakmarrjeje nëse kritikoni ashpër këtë qeveri. Pra, përgjithësisht, një pamje e përkeqësuar”, shtoi ajo. “Po shohim një hapësirë që sa vjen e ngushtohet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe po ashtu një zbehje të funksionimit të institucioneve demokratike”.