Rrjeti elektrik në Gjermani është stabil, furnizimi me energji elektrike është i siguruar. Kështu u shpreh të hënën ministri i Ekonomisë Robert Habeck, i cili shtoi se në Gjermani ka rrymë të bollshme për të kaluar dimrin. Por sa për siguri, dy centrale bërthamore, Isar 2 dhe Neckarwestheim, do të mbeten të hapura deri vitin e ardhshëm – për çdo eventualitet nëse ka probleme me furnizim. Ky ishte rezultati i provës së stresit, që prezantoi të hënën në mbrëmje në Berlin ministri gjerman, Robert Habeck, njofton Diaspora Today.
Dy centralet në jug të Gjermanisë do të mbeten në punë si rezervë, deri në prill 2023. Më pas edhe ato do të hiqen nga rrjeti, tha Habeck. Energjia bërthamore mbetet një teknologji me rrezik të lartë, dhe veç të tjerash ajo nuk është e qëndrueshme, argumentoi ministri ekologjist. Këtë e tregon edhe shembulli i Francës, ku aktualisht gjysma e centraleve bërthamorë prodhojnë energji elektrike, pasi ato duhet të mirëmbahen, ose për shkak të thatësirës. „Problemi kryesor për momentin janë ndryshimet klimatike të energjisë bërthamore në Francë,“ tha Habeck. Lumi Rhône është shumë i ngrohtë dhe niveli i ujit në të është tepër i ulët për të ftohur centralet bërthamore në masën e nevojshme.