Ngjarja shokuese në Pejë, ku dy infermiere sulmojnë fizikisht dhe rrahin një të moshuare, ndërsa disa persona të tjerë inçizojnë ngjarjen dhe qëndrojnë anash, duke mos ndërmarrë asgjë, ka marrë rrugën e vet ligjore. Gjykata Themelore në Pejë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve tri infermiereve, të cilat dyshohen se kanë keqtrajtuar fizikisht gruan e moshuar, nënën e një heroi të rënë në luftë, në rezidencën për të moshuarit „Orenda“ në Pejë. Pas pamjeve të tmerrshme të ushtrimit të dhunës ndaj gruas së moshuar në këtë rezidencë, Gjykata në Pejë mori vendimin për paraburgim të të pandehurave A.P, A.R dhe R.K.
Gjatë ditës së mërkurë (02.nëntor 2022) u publikuan pamjet ku shihej e dyshuara kryesore Aurona Pelaj, duke e goditur në fytyrë dhe në pjesën e barkut të moshuarën, e cila ndërkohë ka vendosur të largohet nga kjo rezidencë për të moshuar. Një nga të dyshuarat ishte duke qeshur dhe duke qëndruar indiferente ndaj dhunës që shkaktohej, ndërsa tjetra xhironte atë që ndodhte. Asnjë prej tyre nuk ndërmorri asgjë, për të ndërprerë këtë dhunë makabër, që ka shqetësuar të gjithë opinionin.
Ndërkohë kjo ngjarje tepër e rëndë është publikuar në shumë media jashtë Kosovës, ndër tjerash edhe në Serbi në faqet e para të mediave atje, por si fenomen është trajtuar edhe ndër shqiptarët në Gjermani, si dhe nëpër shtëpitë për të moshuar këtu.