Sot (18 nëntor 2023) është futur në fuqi pjesa e parë e Ligjit të ri për ardhjen e fuqisë së kualifikuar punëtore në Gjermani (Fachkräfteeinwanderungsgesetz). Ndërsa pjesa e dytë dhe e tretë e ligjit do të futet në fuqi në mars dhe në qershor të vitit 2024.
Sot futen në fuqi pjesët e ligjit që lehtësojnë punësimet me Kartën Blu për punonjësit nga vendet e treta. Lehtësohet edhe bashkimi familjar për personat me Kartën blu, mundësohet ndërrimi i vendeve të punës për punëtorët e kualifikuar, lejohet ardhja në Gjermani e ekspertëve të Informatikës pa diploma profesionale, por vetëm me një përvojë trevjeçare, e prej sot edhe shoferët profesionistë do ta kenë më lehtë të gjejnë një punë në Gjermani.
Kartën Blu në të ardhmen në Gjermani mund të marrin të gjithë personat që kanë një diplomë akademike apo universitare dhe të cilët sigurojnë një rrogë prej 39.682,80 euro bruto në vit. Kartën Blu mund ta kërkojnë si personat që jetojnë në vendet e treta, ashtu edhe ata që jetojnë në vendet e tjera të BE dhe në Gjermani, nëse i plotësojnë kushtet e parapara me ligj. Me ligjin e ri zgjehoret dukshëm edhe lista e profesioneve të personave që mund të marrin Kartën Blu. Ndër tjerash në këtë listë përfshihen profesionet e shkencave natyrore, mjekësisë, inxhinierët, punonjësit drejtues si dhe ekspertët e fushave të ndryshme… Në këtë listë janë përfshirë në fakt gati të gjitha profesionet akademike për të cilët Gjermania ka nevojë. Për personat me Kartën Blu lehtësohet edhe bashkimi familjar, sepse bashkimet familjare më nuk do të kushtëzohen me hapësirën e caktuar të vendbanimit apo dëshminë për paratë e fituara. Ndërkohë që familjarët e punëtorëve të kualifikuar nuk kanë nevojë as për testet e gjuhës gjermane.
Ekspertët e Informatikës prej sot nuk kanë nevojë të kenë ndonjë diplomë akademike apo profesionale në këtë fushë, por mjafton vetëm përvoja trevjeçare.
Shoferët profesionistë (me kategoritë C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE) prej sot nuk kanë nevojë të kenë lejet e lëshuara apo të pranuara në vendet e Bashkimi Evropian për të gjetur një vend pune. Ata nuk kanë nevojë as për pëlqimin e Agjencisë për Punë dhe gjuhën gjermane, ndërkohë që as “Kodi 95” nuk do të jetë kusht për të ardhur në Gjermani. Por këto kualifikime mund t’i bëjnë pas ardhjes në këtë vend.
Pjesët tjera të ligjit që kanë të bëjnë me lehtësimet për njohjen e diplomave, mundësinë e bashkimit familjar me prindër dhe vjehërr (për punëtorët e kualifikuar), lehtësimet për studentë dhe persona që bëjnë ndonjë përgatitje profesionale, futjen e Kartës së Mundësive, dyfishimin e numrit të vizave për punëtorët pa kualifikime, që në Gjermani vijnë sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor do të futen në fuqi në mars dhe në qershor të vitit 2024.