Ministrja e Jasthme e Kosovës, Kosovës Donika Gërvalla paralajmëroi lëvizje pozitive drejt njohjeve të reja të Kosovës. Në një intervistë për RTK, ajo ka shprehur rezerva lidhur me mundësinë e njohjes së vendit nga Ukraina, por ka thënë se ka lëvizje pozitive drejt sigurimit të njohjeve të reja.
“Ne e dimë se sa agresive është fushata e Serbisë, por edhe e Rusisë për të penguar njohje të reja dhe për të krijuar çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme. Prandaj, ne, asnjë prej shteteve me të cilat bisedojmë nuk e vëmë publikisht para sfidave të tilla, por ka lëvizje të shumta me shumë shtete”, deklaroi ajo për RTK.
Gërvalla ka thënë se janë përqendruar në 5 shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, derisa ka përmendur edhe punën që po bëhet në anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
“Ne jemi përqendruar kryesisht te pesë shtetet e BE-së, sepse mendojmë që ato nëse nuk realizohen do të kthehen në një sfidë serioze për rrugën euroatlantike të Kosovës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk duhet të kthehet vetëm në një çështje formale, të prestigjit por duhet të jetë një çështje e cila duhet të shihet dobia në secilën organizatë. Ne kemi aplikuar në maj të vitit të kaluar për Këshill të Evropës, në ndërkohë kemi kaluar fazën e parë, pra një prej dy fazave i kemi kaluar. Tani ndodhet çështja në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku ka përkrahje shumë të madhe për Kosovën”, tha Gërvalla.
Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ministrja tha se ato duhet të hiqen sa më parë. „Ato masa janë të pakuptimta për mendimin tim dhe duhet të hiqen sa më shpejt“, deklaroi Donika Gërvalla.