Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është takuar sot me ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorious, ku sipas njoftimit, në fokus të diskutimit ishte siguria në rajon dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
“Bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO, ishin temat kyçe të takimit të punës që sot zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati me ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të MPJD-së.
Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla e ka njoftuar ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon.
“Ministrja Gërvalla falënderoi ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it. Në këtë drejtim ministrja Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon”, thuhet në njoftim.