Nëse sot, një vit para zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian, i pyesim gjermanët „a ndihen si evropianë“- vetëm 41 për qind e tyrë do të përgjigjeshin pozitivisht, por shumica (56 për qind) konsiderojnë se kjo ka pak ose nuk ka aspak të bëjë me ta. Ky është rezultati i një sondazhi të opinionit publik të kryer nga instituti “Infratest dimap” me kërkesë të shërbimit publik “Europaforum” WDR. Sot, më 6 qershor, në këtë forum do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në këtë sondazh, ku u anketuan 1302 persona me të drejtë vote, u tregua se qëndrimi i gjermanëve ndaj Bashkimit Evropian është bërë pak më kritik vitet e fundit. Vetëm një e katërta e të anketuarve (26 për qind) besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian i sjell Gjermanisë më shumë avantazhe, kjo është 14 për qind më pak se në korrik të vitit 2020. Pothuajse po aq (27 për qind) mendojnë se anëtarësimi i Gjermanisë në Bashkimin Evropian sjell më tepër disavantazhe, që është 12 për qind më shumë se tre vjet më parë.
41 për qind besojnë se anëtarësimi në BE sjell njësoj avantazhe dhe disavantazhe. Ndërkohë, 14 për qind e të anketuarve besojnë se Gjermania duhet të largohet nga BE-ja, siç bëri Britania e Madhe disa vite më parë. Megjithatë, shumica dërrmuese (79 përqind) e refuzon këtë.