Bundestagu gjerman legalizoi përdorimin e pjesshëm të kanabisit

Bundestagu gjerman miratoi sot Ligjin për legalizimin e pjeshëm të drogës kanabis. Me këtë ligj lejohet nga data 1 prill kultivimi dhe posedimi i sasive të caktuara të kanabisit për konsum personal.

Të rriturit, pra personat e moshës 18 vjeç e më shumë mund të kenë me vete deri në 25 gram kanabis për konsum personal. Në banesa mund të kenë deri në 50 gram kanabis, e nga 1 korriku mund të kultivojnë edhe tri bimë kanabis për nevojat e veta.

Cani Travel

Ligji lejon edhe krijimin e të ashtuquajturave shoqata për mbjelljen e kanabisit për personat e moshës madhore, të cilat mund të kenë deri në 500 anëtarë dhe që mund të mbjellin kanabis për nevojat e tyre. Nga këto sasi, ata mund të marrin deri në 50 gram për anëtar në muaj.

Konsumi i kanabisit ndalohet në shkolla, në objektet sportive, në një afërsi prej 100 metrash. Konkretisht kjo do të thotë se konsumimi i kanabisit nuk lejohet në shkolla dhe objekte sportive, e nuk lejohet as në afëri të tyre deri në 100 metra.  Në zonat publike në qytete nuk lejohet konsumimi i kësaj droge deri në orën 20 në mbrëmje. Fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 18 vjeç e kanë të ndaluar të konsumojnë kanabis.

Ligjit për legalizimin e kanabisit ishte një prej ligjeve më kontradiktore dhe më të diskutueshme në muajt e fundit në Gjermani.

Në debatin e sotëm në Bundestag, deputetët e opozitës – kristian demokratët dhe AfD – u shprehën kategorikisht kundër miratimit të këtij ligji. Mirëpo, ligji për legalizimin e kanabisit u miratua me shumicë votash – 407 deputetë ishin për, kurse 226 kundër këtij ligji.