Gjermani: Deutsche Bahn do të shkurtojë mijëra vende pune

Kompania e hekurudhave Deutsche Bahn ka shënuar gjatë këtij viti një humbje prej më shumë se 1.23 miliardë euro. Sipas kompanisë, një pjesë e madhe e humbjeve ka të bëjë me vonesa për shkak të grevave, motit ekstrem dhe shpenzimeve për përmirësimin e infrastrukturës.

Në gjysmën e parë të vitit 2024 të ardhurat ishin 22.31 miliardë euro, pra 3% më pak se gjashtë muajt e parë të vitit 2023, kur të ardhurat ishin 23 miliardë euro. DB akuzohet shpesh edhe për vonesa të tepërta, sepse gati gjysma e trenave brenda vitit kanë shënuar vonesa.

Cani Travel

Për shkak të gjendjes së vështirë dhe humbjeve të mëdha, Deutsche Bahn ka vendosur që në pesë vitet e ardhshme të shkurtojë rreth 30,000 vende pune, kryesisht në administratë.

Megjithatë, kompania Deutsche Bahn shpreson të bëhet përsëri fitimprurëse në të gjitha fushat e biznesit, pasi qeveria gjermane do t’i rimbursojë një miliardë euro, që koncerni ka paguar paraprakisht për rinovimin e linjave.