Pianistja nga Kosova, Anila Aliu prezantohet sonte (09.06.2023) në Bon të Gjermanisë, para publikut të festivalit Schumman Fest. Ajo do të interpretojë veprat e Johann Sebastian Bach, Ludwig van Beethoven, Franz Liszt dhe Robert Schumann. Kjo nuk është hera e parë që Anila Aliu performon para publikut gjerman. Ajo kishte një koncert në Bon në vitin 2019, kurse në vitin 2020 – në Aachen dhe Königswinter.
Anila Aliu, e lindur në vitin 2000 në Gjilan, është një pianiste e re, por shumë e suksesshme. Ajo është fituese e çmimeve të shumta, si në Kosovëashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë.
Ndër koncertet më të rëndësishme të saj janë ato si soliste me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, interpretuese në Grand Finale në Kaunas, Lituani dhe soliste me Orkestrën Mesdhetare në Itali. Ajo fitoi edhe ‘Çmimin Special’ në Chopin Piano Fest, ‘Çmimin Special’ në San Dona di Pave në Venecia të Italisë si dhe ‘Çmimin e parë’ dhe ftesën për performancë në ‘Carneige Hall’ në Nju-Jork.