Gjermani: Kriminelët e rëndë nga Afganistani dhe Siria do të dëbohen përsëri në vendet e tyre

Kancelari gjerman, Olaf Scholz angazhohet që të mundësohet përsëri dëbimi nga Gjermania i kriminelëve të rëndë në Afganistan dhe Siri.

„Kriminelët e tillë duhet të deportohen – edhe nëse vijnë nga Siria dhe Afganistani”, tha kancelari në një deklaratë të qeverisë për situatën aktuale të sigurisë.

Cani Travel

Ministria e Brendshme e Gjermanisë po zhvillon tashmë bisedime me vendet fqinje të Afganistanit lidhur me zbatimin praktik të dëbimit, tha Scholz, duke shtuar se në Gjermani nuk do të tolerohen më krimet terroriste.

Ditë më parë në Mannheim të Gjermanisë ndodhi një sulm terrorist, ku është vrarë një policist dhe janë plagosur disa persona. Autori i sulmit ishte një afgan 25-vjeçar që ka ardhur në Gjermani në vitin 2014.