Gjermani: Miratohet definitivisht Ligji për legalizimin e pjesshëm të kanabisit 

Ligji për legalizimin e pjesshëm të kanabisit u miratua sot në Bundesrat.  Ai u miratua më parë në Bundestag. Kjo do të thotë se ai mund të hyjë definitivisht në fuqi, ashtu siç është planifikuar, më 1 prill.

Me këtë ligj lejohet kultivimi dhe posedimi i sasive të caktuara të kanabisit për konsum personal.

Cani Travel

Të rriturit, pra personat e moshës 18 vjeç e më shumë mund të kenë me vete deri në 25 gram kanabis për konsum personal. Në banesa mund të kenë deri në 50 gram kanabis, e nga 1 korriku mund të kultivojnë edhe tri bimë kanabis për nevojat e veta.

Konsumi i kanabisit ndalohet në shkolla, në objektet sportive, në një afërsi prej 100 metrash. Konkretisht kjo do të thotë se konsumimi i kanabisit nuk lejohet në shkolla dhe objekte sportive, e nuk lejohet as në afërsi të tyre deri në 100 metra.  Në zonat publike në qytete nuk lejohet konsumimi i kësaj droge deri në orën 20 në mbrëmje. Fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 18 vjeç e kanë të ndaluar të konsumojnë kanabis.

Ligjit për legalizimin e kanabisit ishte një prej ligjeve më kontradiktore dhe më të diskutueshme në muajt e fundit në Gjermani.

Deputetët e opozitës – kristian demokratët dhe AfD – ishin kategorikisht kundër miratimit të këtij ligji. Por, ai fitoi shumicën në parlament. 

Qeveria aktuale (socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërit) konsideron se ky ligj do të kontribuojë për mbrojtje më të mirë të të miturve dhe për një luftë efektive kundër tregut të zi të drogës.