Gjermani: Ndryshojnë disa rregulla për azilkërkuesit dhe refugjatët

Çështja e migrimit, refugjatëve dhe azilkërkuesve të rrejshëm ishte një nga temat kryesore të takimit mes kancelarit Olaf Scholz dhe kryeministrave të 16 landeve në Gjermani që u mbajt më 6 dhe 7 nëntor. Lidhur me këtë çështje është arritur një dakordim të cilin kancelari Scholz e quajti historik, ndërsa opozita si një hap të mirë në drejtimin e duhur.

Nga viti 2024 qeveria federale do të ndajë në vit 7500 euro për secilin migrantë. Këto para shkojnë në buxhetin e landeve apo komunave ku ata janë të vendosur. Qeveria federale do të mbështesë komunat e mbingarkuara me refugjatë për sistemimin e tyre, ndër tjerash edhe përmes përshpejtimit të ndërtimit të banesave.

Cani Travel

Sipas marrëveshjes së arritur, Gjermania do të përshpetojë procesin e dëbimit të azilkërkuesve të rrejshëm. Parashikohet edhe luftimi më i denjë i kontrabandistëve me refugjatë. Ndërkohë po vazhdojnë përpjekjet dhe bisedimet me vendet e origjinës që t’i pranojnë sa më parë shtetasit e tyre të cilëve u është refuzuar azili. 

Proceset e personave që kërkojnë azil do të përshpejtohen. Qëllimi është që këto procese të mbyllen më së largu brenda 3 muajsh, e në rastet më të komplikuara deri në gjashtë muaj. Për këtë qëllim do të investohet në digjitalizimin e procedurave, në mënyrë që procesi të mbyllet sa më pare.

Një risi shumë e rëndësishme është edhe shkurtimi i parave për personat që kërkojnë azil. Këtyre personave do t’u jepet nje kartele me të cilën mund te paguajnë, që do të thotë se u jepen me pak para kesh, sepse ekziston dyshimi se shumë azilkërkues vijnë këtu vetëm për shkak të ndihmave financiare.

Sipas të dhenave gjermane, çdo vit vijnë ne këtë vend me dhjetëra mijëra njerez qe kërkojnë azil për të dytën, tretën herë, apo dhe më shume, vetëm për te përfituar ndihmat. Shumë prej tyre janë edhe nga vendet e Ballkanit, sepse ata largohen në vjeshtë, ndërsa në pranverë kthehen prapë dhe kërkojnë azil, edhe pse e dinë se nuk do të marrin azil, por mund të marrin ndihma. Këto ndihma tani do të zvogëlohen.

Sidoqoftë, në të gjithë vendin do të futet një kartë për pagesa, në të cilën do të zvoglohen ndihmat. Sipas rregullave të tanishme, çdo azilkërkues që në Gjermani qëndron 18 muaj e më shumë, pas 18 muajsh merr ndihma sociale, sikur të gjithë gjermanët e tjerë, që do të thotë shumë më shumë para se në kohën kur është vetëm azilkërkues. Sipas marrëveshjes së fundit, azilkërkuesit nuk do të mund të marrin ndihma deri në 36 muaj. Ndërsa për refugjatët që kanë shansa të mira të marrin azil, do të mundësohet qasja më e shpejtë në tregun e punës. Për këta persona do të ndahen më shumë para për integrim dhe mësimin e gjuhës.

Të gjitha këto masa të dakroduara tani duhet të shndërrohen në projektligj, i cili pritet të miratohet deri në fund të vitit dhe të shndërrohet në ligj.