Klientët e kompanisë gjermare ajrore, Lufthansa duhet të përgatiten sot për anulime dhe vonesa të fluturimeve.
Sindikata ver.di i ka bërë thirrje stafit tokësor të kompanisë për një grevë paralajmëruese.
Greva filloi mbrëmë në sektorin e e mallrave dhe teknologjisë, kurse sot në mëngjes dhe në sektorin e pasagjerëve. Siç është planifikuar, greva do të zgjasë deri të mërkurën në mëngjes në orën 07:10.
Me grevën e sotmë janë përfshirë aeroportet në Frankfurt, Mynih, Hamburg, Berlin, Dyseldorf, Këln-Bon dhe Shtutgart.
Sindikata ver.di nuk është e kënaqur me ofertën e re të Luftahnsës për pagat e reja. Në mbarë koncernin janë duke vazhduar bisedimet për kontratat e reja, sipas sindikatës, për rreth 25.000 punonjës të Lufthansës, të cilët janë të punësuar në sektorët e shërbimit në aeroporte si në teknikë, logjistikë, shërbime inxhinierike dhe operacionale.
Kjo është greva e dytë brenda këtij viti. Në grevën e parë janë anuluar më shumë se 1.000 fluturime dhe ajo zgjati 27 orë.