Gjermani: Protesta kundër ekstremizmit të djathtë

Takimi sekret i ekstremistëve të djathtë me partinë populiste AfD shkaktoi reagime të forta në Gjermani. Në disa qytete dhjetëra mijëra vetë protestuan kundër ekstremizmit të djathtë. Mes tyre edhe kancelari Scholz. Dhjetëra mijëra vetë protestuan të dielën (14.01) në mjaft qytete gjermane për ruajtjen e demokracisë dhe kundër ekstremizmit të djathtë. Kjo, pas bërjes publike të një takimi të politikanëve të nivelit të lartë të AfD-së me ekstremistë të djathtë, ku u fol për një plan dëbimi të miliona të huajve, edhe ata me pasaportë gjermane. Në mitingun në Portën e Brandenburgut u grumbulluan 25.000 vetë, sipas të dhënave të organizatorëve dhe policisë. Pjesëmarrësit mbanin banderola ku shkruhej, “Ka ardhur koha të mbrojmë demokracinë”. “Ndal zjarrvënësit. Ndal AfD-së.”.

Edhe në Potsdam morën pjesë mijëra vetë në mitingun e organizuar atje. Mes protestuesve ndodhej edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock. “Unë jam këtu si një nga mijëra qytetare e qytetetarë të Potsdamit që ngrihen për demokracinë dhe kundër fashizmit të vjetër dhe atij të ri”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.

Cani Travel

Kreu i bashkisë së Potsdamit, Mike Schubert (SPD) kishte bërë thirrje për demonstrimin kundër ekstremizmit të djathtë nën moton “Potsdami mbrohet”, për të treguar se një plan për dëbimin e miliona vetëve nga Gjermania “nuk i përket shoqërisë sonë”. Edhe në Kiel protestuan mijëra vetë kundër ekstremizmit të djathtë. Në Saarbrücken policia bëri fjalë për mbi 5000 të mbledhur në miting nën moton “Kundër AfD-së, për diversitetin”.

Platforma investigative e pavarur “Correctiv” bëri të ditur javën e kaluar, se në një takim sekret politikanë të partisë populiste të djathtë në Gjermani, AfD janë takuar me ekstremistë të djathtë, mes tyre austriakun, Martin Sellner, që njihet si neonazist për të diskutuar një masterplan që parashikon dëbimin e miliona vetëve nga Gjermania. Ky plan do të realizohej, nëse ata vinin në pushtet. Në një ftesë të takimit që e zotëronte “Correctiv” thuhej, se në takim do të paraqitej edhe një “koncept strategjik në formën e një masterplani. “Shanset që vendi ynë të kthehet në një kurs të shëndetshëm dhe normal” janë “të mëdha si kurrë më parë”. Për pjesëmarrje shkruhej në ftesë kërkohej edhe “donacion të paktën 5.000 eurosh”.

Gjatë takimit politikane e politikanë të AfD-së, sipas “Correctiv” e kanë miratur konceptin e prezantuar. Ish-kreu i lëvizjes identitare të ekstremit të djathtë, Martin Sellner e konfirmoi për DPA takimin, por tha se është folur për “remigracionin”. Por kur ekstremistët e djathtë e përdorin këtë koncept, atëherë ata kanë parasysh si rregull që një numër i madh i qytetarëve me origjinë të huaj duhet të largohet nga vendi – edhe me detyrim.

/DW/