Në Gjermani janë shtuar së fundi dukshëm aktet e dhunshme me motive politike ndaj vendstrehimeve të refugjatëve. Vetëm gjatë vitit të kaluar 2024 ka pasur 218 sulme ndaj vendstrehimeve dhe apartamenteve të refugjatëve, që paraqet një ritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 167 sulme të tilla.
Këto janë të dhënat e publikuara nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë, pas një pyetje që ka bërë në Bundestag partia E Majta. Shumë sulme kanë qenë pa pasoja serioze, por 28 sulme janë klasifikuar si sulme të dhunshme. Gjatë këtyre sulmeve janë lënduar 14 persona, mes tyre dhe një fëmijë. Këto nuk janë të dhëna definitive, thotë MPB e Gjermanisë, sepse shifrat zyrtare mund të jenë edhe më të larta.