Gjermani: U mbajt manifestimi letrar kushtuar Azem Shkrelit

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, mori pjesë në manifestimin tradicional letrar dedikuar jetës dhe veprës të shkrimtarit të njohur, Azem Shkreli, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (LSHAKSH) në Düsseldorf, 

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, tha se Azem Shkreli (1938-1997) konsiderohet një ndër poetët më të mirë të letërsisë shqipe në përgjithësi. „Vepra e Azem Shkrelit është unike në letërsinë shqipe. Ai shkroi poezi që vendosën një standard të ri estetik në letërsinë shqipe, dhe nëpërmjet figuracionit letrar dhe urtisë së malësorëve të vendlindjes së tij, krijoi vargje lakonike dhe me intensitet të madh semantik, çfarë nuk ishin parë ndonjëherë në poezinë shqipe. Librat si „E di një fjalë prej guri“, „Nga bibla e heshtjes“, „Nata e papagajve“, „Lirikë me shi“ apo „Zogj dhe gurë“, janë vepra kulmore të cilat e avancuan dhe reformuan poezinë shqipe.

Cani Travel

„Poezia e Shkrelit është historia në vargje e Kosovës.“

Në këtë orë letrare u ndanë edhe çmime në konkursin letrar për mërgatën „Azem Shkreli“ 2024.

Për veprat dhe punën letrare të shkrimtarit Azem Shkreli, folën Dibran Demaku dhe Pal Sokoli, kryetar dhe sekretar i Lidhjes së shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani. Ndërsa, prof. dr. Anton Nikë Berisha, elaboroi rëndësinë e veprave dhe të punës së Azem Shkrelit.

Në këtë takim morën pjesë familjarë të Azem Shkrelit, shkrimtarë, publicistë dhe artistë të mërgatës tonë.