Çmimet për blerjen e banesave dhe shtëpive në Gjermani do të vazhdojnë të bien edhe në vitin 2024, vlerësojnë ekspertët. Ata parashikojnë se ulja mesatare e çmimeve për blerjen e shtëpive dhe banesave do të jetë 2.8 për qind.
Çmimet e pronave në vendin me ekonominë më të fuqishme në Evropë kanë rënë mesatarisht më shumë se 10 për qind që nga viti i kaluar, kur arritën kulmin e tyre. Arsyeja kryesore për këtë është politika monetare e Bankës Qendrore Evropiane dhe normat tepër të larta të bankave për kredi.
Njëkohësisht, burimet gjermane njoftojnë se janë rritur çmimet e qirave në shumë vende. Rritja mesatare e çmimeve të qirave si dhe kriza ekonomike kanë bërë që shumë familje të futen madje edhe në krizë të buxhetit familjar. Për momentin në Gjermani ka rreth 5,65 milionë familje që janë futur në borxhe.