Gjermani: Vjosa Osmani nderohet me një çmim të rëndësishëm

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, dhe Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, do të nderohen sot më 12 shtator në Berlin me çmimin M100 Media Aëard. Manifestimi mbahet sonte në Orangery of Sanssouci Park në Potsdam. Fjalën kryesore në këtë ceremoni do ta mbajë kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në shpjegimin e vendimit që Presidentes Osmani-Sadriu t’i ndahet ky çmim thuhet se ajo „që nga fillimi i karrierës së saj politike, pa u lodhur ka avokuar për reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe barazinë dhe të drejtat e grave në vendin e saj dhe më gjerë“. Presidentja Osmani-Sadriu „është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike.“ Ajo angazhohet për mbrojtjen e „demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore.“

Cani Travel

Ndërsa për kryeministrin polak Donald Tusk, thuhet se „përmes një fushate imponuese që theksonte unitetin mbi ndarjen“, partia e tij proevropiane e ktheu Poloninë me sukses drejt një demokracie funksionale me një shtyp të lirë, pasi që më parë „ishte qeverisur pothuajse në mënyrë autokratike nga partia PIS nga viti 2015 deri në 2023“.

Tusk përfaqëson suksesin e procesit të bashkimit dhe zgjerimit evropian, arritjet e Polonisë gjatë dy dekadave të fundit, si dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike në Poloni, thuhet në shpjegim.