Gjermania: Lehtësime tatimore për biznese

Qeveria e kancelarit gjerman Olaf Scholz ra dakord të martën për një paketë lehtësimi tatimore me vlerë rreth 7 miliardë euro në vit për bizneset, me qëllim të rigjallërimit të ekonomisë më të madhe të Evropës.

Plani përfshin një shpërblim për investimet në kursimin e energjisë. Elementi qendror është një shpërblim për investimet në mbrojtjen e klimës: një prim tatimor investimi prej 15 për qind të shumës së investimit do të paguhet, pavarësisht nga fitimi.

Cani Travel

Ka edhe ndryshime të rregullave për ta bërë më të lehtë për kompanitë të amortizojnë humbjet e tyre. Në veçanti, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të përfitojnë nga një zgjatje e kompensimit të humbjeve. Mundësitë e reja të amortizimit do të përmirësojnë likuiditetin e kompanive dhe t’i inkurajojnë ato të investojnë. Shoqatat e biznesit, si dhe të Gjelbrit, kohët e fundit ishin ankuar se paketa nuk ishte aq e madhe sa të mbronte bizneset në kohët e rënies ekonomike.

Programi do të lehtësojë barrën për „bizneset e vogla dhe të mesme“, tha qeveria federale në një deklaratë.

Plani parashikon një ulje të taksës për sipërmarrjet për katër vjet për një shumë totale prej 32 miliardë euro.

Në një kohë që partitë e koalicionit qeveritar gjerman lëkunden për masën e uljes së taksave, ekonomia ka mbetur statike.

Gjermania regjistroi rritje zero në tremujorin e dytë të 2023, pasi ra në recesion në fillim të vitit.

Gjermania u godit rëndë nga pushtimi rus i Ukrainës. Konflikti ka rritur çmimet e energjisë në Gjermani, pasi u ndërpre varësia e Berlinit nga Moska për furnizimet me gaz.

(DW)