Bundestagu gjerman miratoi sot ndryshimet e ligjit për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar. Këto ndryshime u miratuan pas një debati të gjatë, ku opozita shprehu mospajtimin e vet dhe në fund votoi kundër ligjit në fjalë.
Me këto ndryshime lehtësohet ardhja e fuqisë së kualifikuar punëtore nga vendet e tjera, pra edhe nga vendet joanëtare të BE-së që mund të vijnë në Gjermani për të kërkuar punë me një „kartë shansi“ bazuar në një sistem pikësh.
Profesionistët me diplomë dhe përvojë profesionale mund të vijnë pa pasur nevojë që paraprakisht t’u njihet diploma nga Gjermania. Për të huajt me diplomë të njohur nga Gjermania do të ulen pengesat, si paga minimale e përcaktuar. Kufiri minimal i të ardhurave që lejon imigrimin e punës nëpërmjet „kartës blu“ do të ulet më tej, në rreth 3500 euro bruto në muaj.
Një nga ndryshimet që janë bërë është edhe lejimi i azilkërkuesve të qëndrojnë për qëllime pune. Azilkërkuesit të cilët kanë kërkuar azil deri me 29 mars të vitit 2023 do të kenë mundësinë të ndryshojnë statusin e qëndrimit në këtë vend dhe të marrin lejen e rregullt të qëndrimit, në qoftë se kanë ndonjë vend pune, nëse kanë ndonjë kontratë pune, apo nëse kanë ndonjë ofertë për punë. Për personat që kanë ardhur pas kësaj date apo për personat që vijnë në të ardhmen dhe kërkojnë azil politik, kjo nuk vlen dhe nuk do të vlejë.
Qeveria ka parashikuar të ndryshojë edhe Regulloren për Ballkanin Perëndimor. Sipas rregullave të tanishme, kjo rregullore do të përfunojë në fund të vitit 2023. Mirëpo, tani parashikohet që kjo rregullore të vazhdohet dhe të dyfishohet numri i punëtorëve pa kualifikime që mund të vijnë në Gjermani, por që më parë sigurojnë një kontratë pune.