Zyra Federale e Statistikave në Gjermani publikoi këto ditë të dhënat mbi zhvillimin e popullsisë. Lindjet në Gjermani ishin në shifra të ulta, ndërkohë që jetëgjatësia shënonte rritje. Si pasojë e këtyre shifrave, Gjermania ka një popullsi në plakje. Mosha mesatare në vitin 2021 me 45 vjeç u rrit me pesë vjet më shumë krahasuar me vitin e bashkimit gjerman, 1990.
Plakja e popullsisë do të përparojë në vitet e ardhshme. Mirëpo, përkundër vlerësimeve të mëparshme, sipas të cilave popullsia në Gjermani do të plakej që tani, të dhënat treguan se u shënua madje edhe një rritje e lehtë. Në vitin 2021 në Gjermani jetonin 83 milionë vetë, aktualisht jetojnë madje pak më shumë se 84 milionë vetë.
Kjo rritje lidhet me imigrimin në vitet e fundit, sidomos në vitin 2015/2016 dhe sulmin rus kundër Ukrainës. „Pa ardhjen e migracionit një ulje e numrit të popullsisë do të ishte e pashmangshme, sepse kanë ndërruar jetë më shumë vetë, se sa kanë lindur“, deklaron Karsten Lummer, drejtues i departamentit të „Popullsisë“ në Zyrën Federale të Statistikave. Ky departament ka publikuar të dhënat e fundit për zhvillimin e popullsisë në vitet e ardhshme. Pandemia e Coronës mori shumë jetë, vdekshmëria ka qenë dukshëm më e lartë, se numri i lindjeve në vitet e mëparshme. Lufta në Ukrainë ka ndikuar që shumë njerëz të vendosen në Gjermani, dhe kjo ka ndikua madje që këtë vit të rritet numri i popullsisë. Por, mbetet e paqartë se sa refugjatë do të qëndrojnë, dhe sa do të kthehen? Sa i lartë do të jetë imigrimi nga vendet e tjera në vitet e ardhshme?
Zyra Federale e Statistikave ka përllogaritur disa skenarë që bazohen në një zhvillim të moderuar të numrit të lindjeve dhe pritshmërisë për jetëgjatësinë. Tek shifrat ka efekt edhe numri i imigrantëve. Nëse në vit do të imigronin 290.000 vetë, atëherë popullsia do të rritej deri në vitin 2013 në 85 milionë vetë, dhe më pas në vitin 2070 do të reduktohej në 83 milionë vetë. Me një imigrim me 180.000 vetë në vit numri i popullsisë do të ulej në 75 milionë vetë në vitin 2070. Ndërsa me një imigrim prej 400.000 vetësh në vit, popullsia deri në vitin 2071 do të rritej në 90 milionë vetë.
Megjithatë imigrimi nuk e ndryshon rritjen e numrit të të moshuarve. Zyra Federale e Statistikave ka përllogaritur, se numri i pensionistëve, pra i atyre mbi moshën 67 vjeç, deri në mesin e viteve 30-të do të rritet në të paktën 20 milionë vetë. Pra, në të ardhmen çdo i pesti qytetar gjerman do të jetë „senior“. Ndërsa numri i 80-vjeçarëve do të mbetet i stabilizuar deri në mesin e viteve 30-të, mes 5,8 milionë deri në 6,7 milionë vetë. Në bazë të kësaj numri i atyre në moshë të thyer, pra ai i atyre që kanë nevojë për kujdes shëndetësor do të rritet masivisht. „Në vitet 50-të e 60-të do të jetojnë mes 7 deri në 10 milionë njerëz në moshë të thyer në Gjermani“, thotë Karsten Lummer. „Ne duhet të përballemi me këtë proces plakjeje dhe me sfidat që dalin për shoqërinë.“
Në anën tjetër, për Gjermaninë është e parashikueshme që numri i njerëzve në moshën e punës na 20 deri në 66 vjeç do të bjerë në vitet e ardhshme. Aktualisht në moshë pune në Gjermani janë 51,4 milionë vetë. Sipas statistikave edhe me një imigrim të madh, numri i njerëzve në moshë pune deri në vitin 2031 do të bjerë me 1,6 milionë vetë.