Gjermania pranon draftin e Ramës për Asociacionin

Zyra e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ka konfirmuar sot (09.06.2023) pranimin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin Scholzit dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e dërgoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Mund të konfirmojmë pranimin e një dokumenti të tillë në Kancelari. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj, për shkak se nuk mund të komentojmë përmbajtjen konfidenciale (të dokumentit)”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane për media.

Cani Travel

Ndërkohë, disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian kanë komentuar për Radion Evropa e Lirë draftin e Ramës, duke theksuar se “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”. Këto burime shtuan se “teksti po analizohet me kujdes”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi dje se i ka dërguar Macronit dhe Scholzit një propozim për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është punuar nga ekspertë të nivelit të lartë.