Agjensia Federale për Punësim njofton se në muajin tetor në Gjermani ka pasur vetëm rreth 2.377.000 të papunë, që është vetëm 5,2%.
Numri i papunësisë në tetor, krahasuar me muajin shtator të këtij viti, është zvogluar për 88.000 punonjës, njofton Diaspora Today. Ndërsa krahasuar me tetorin e vitit të kaluar (2020), në tetor 2021 ka rreth 383.000 të papunë më pak, që do të thotë se gjendja është përmirësuar shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Gjermania ka aktualisht një numër rekord të personave që kanë zënë punë dhe paguajnë siguracione e tatime. Aktualisht në Gjermani punojnë 33.970.000 punëtorë, që është numri më i lartë e njerëzve në marrëdhënie pune prej ribashkimit të Gjermanisë.
Njëkohësisht, numri i vendeve të lira të punës në Gjermani aktualisht është më i madh sesa para pandemisë, thotë shefi i Agjensisë për punësim Detlef Scheele. Në gusht ka pasur në Gjermani rreth 1,2 milionë vende të lira pune. Gjemrani i mungojnë tani, për shembull, rreth 120.000 punonjës në sektorin e përkujdesit për të moshuar, si dhe rreth 50.000 infermierë në spitale dhe institucione të tjera të shëndetësisë, njofton Diaspora Today.
Mangësitë e fuqisë puntore më së shumti vërehen në mjekësi, përkujdesjen për të moshuarit, në informatikë, teknologji e industri, por edhe në zejtari, ndërtimtari dhe profesione të tjera.
Shoqata Federale e Biznesit të Mesëm mendon se mungesa e fuqisë punëtore duhet të kompensohet me ardhjen e një numri më të madh të punëtorëve nga vendet e jashtme.
Ekspertët gjermanë thonë se Gjemrania ka nevojë për imigrim të organizuar të fuqisë punëtore, por theksi duhet të jetë tek fuqia punëtore e kualifikuar.
Shefi i Agjencisë Federale të Punës, thotë se Gjermanisë i duhen rreth 400.000 emigrantë të kualifikuar çdo vit, për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore.