Mësimi i gjuhës shqipe është futur këtë semestër edhe zyrtarisht në Departamentin e Gjuhëve të Unversitetit të Harvardit. Revista Harvard Magazine njofton se orët për “Shqipen Elementare 1” filluan këtë semestër, dhe gjuha shqipe është futur në Departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së Afërt (NELC), ku në ofrohen gjuhët si aramishtja, persishtja, turqishtja dhe të tjera.
Revista Harvard Magazine shkruan se një prej nismëtareve të përfshirjes së shqipes në universitetin prestigjioz është studentja Edona Cosovic, vajza e një emigranti shqiptar nga Mali i Zi. E rritur në Shtetet e Bashkuara, ajo mësoi të fliste shqip nga prindërit, por e kishte të vështirë ta ruante gjuhën pavarësisht dëshirës së saj. “Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin burime për të na blerë kanalin e televizionit shqiptar. Ne jemi në shkollë gjithë ditën, dëgjojmë televizione amerikane ku gjithçka është anglisht. Edhe ata gjithashtu po përpiqen të mësojnë anglisht sepse punojnë këtu, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë shpejt”, tha Edona.
Në mars të vitit 2022, Edona Cosovic u interesua për mundësinë e krijimit të një kursi shqip në Harvard. Ajo foli me Eva Stathi Misho, një koordinatore studentore nga Përmeti, e cila u shpreh e gatshme ta ndihmonte. Para se të vinte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar në Kolegjin Hellenic në Brookline, Stathi Misho studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë.