Gjykata e Lartë në Vranjë të Serbisë ka ndaluar dje (14.04.2023) shfaqjen e filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, të producentit Gani Veseli.
Filmi “I pabesi” është ndaluar në tërësi, ndërsa shfaqja e filmit “Heshtja” do të lejohet nëse nga pamja paralajmëruese hiqet logoja “Republika e Kosovës”.
Gjykata e Vranjës e shpjegon vendimin e saj me vlerësimin se se filmi “I pabesi” kinse „nxit urrejtje, diskriminim dhe dhunë“.
Avokati i Gani Veselit tha se do të ankohet kundër këtij vendimi, kurse vetë Veseli deklaroi se se nuk dëshiron ta largojë logon e Republikës së Kosovës sepse qeveria e Kosovës në fakt i ka financuar të dy filmat përmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi.
“Unë si producent nuk pranova asesi të ndodhë të hiqet logo sepse kam 5 filma që janë me logo te Republikës të Kosovës dhe vlerën e atyre që investojnë në art e kulturë nuk e zhduk për asnjë arsye, kërkesë ose interes të dikujt, në këtë rast të Serbisë, sepse është vlerë e artit dhe financues i këtyre filmave”, ka shkruar Veseli në Facebook.