Në Gjykatën Speciale të Krimeve të Luftës në Kosovë në Hagë filloi sot (03.04.2023) gjykimi i katër komandantëve të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Prokuroria ka bërë të ditur se në këtë proces do të nxjerrë 312 dëshmitarë. Prokurorët që në fillim theksuan se në këtë proces po gjykohen disa individë dhe jo UÇK si organizatë. Por që në prezantimin e parë ishte e qartë se prokuroria do të insistojë në përgjegjësinë individuale, por edhe përgjegjësinë për veprimin e pjesëtarëve të UÇK si organizatë.
Të gjithë të akuzuarit nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u deklaruan sot të pafajshëm para trupit gjykues të Gjykatës së Hagës. Ata e konfirmuan deklarimin nga seanca e parë, ku ishin deklaruar të pafajshëm.
“Jam plotësisht i pafajshëm”, tha sot ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para trupit gjykues në Hagë.
Paralelisht me procesin në Gjykatën Speciale, në sheshin “Laan van Reagan en Gorbatsjov” në Hagë u mbajt sot edhe protesta e disa mijëra qytetarëve nga diaspora dhe Kosova, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në protestë ishin mërgimtarë nga Gjermania, Belgjika, Holanda, Austria, Italia, Zvicra dhe shumë vende të tjera, të cilën kishin ardhur enkas për të kërkuar drejtësi për të akuzuarit. Nuk duam politikë por drejtësi dhe të vërtetën, ishte mesazhi kryesor që u dëgjua. Sipas tyre, pala serbe ishte ajo që bëri krime në Kosovë dhe jo liderët e UÇK. Protesta kaloi pa asnjë incident.