Nesër, më 15 mars në Hamburg hapet ekspozita e re e artistit kosovar Shuk Orani, i cili jeton që një kohë të gjatë në Gjermani. Në ekspozitën “EXPERIENCE” në HafenCity mund të shihet një koleksion mbresëlënës i veprave të tij që përfshin mbi 30 piktura vaji, pëlhure, në format të madh që prezantohet në një sipërfaqe prej 2000 m2.
Shuk Orani, i lindur në Prishtinë, është një artist multimedial i njohur në skenën e artit gjerman dhe ndërkombëtar. Ai ka marrë pjesë në ekspozita dhe panaire të mëdha arti në mbarë botën, duke përfshirë MOCA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Pekin, Muzeu i Luvrit në Paris, Galleria Farini Concept në Itali, TSI Museum ne Taipei, Gallery Cambridge, Sotheby’s Hamburg, Art International Zürich dhe shumë të tjera.