Incident në Shkup: Presidentes Vjosa Osmani tentojnë t’i marrin telefonin

Në Aeroportin e Shkupit dje ndodhi një incident diplomatik, ku Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, sigurimi i Aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal. Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në këshilltari për media i Presidentes Bekim Kupina, i cili ka thënë se në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare zyrtari i aeroportit ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.

“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka thënë Kupina.

Cani Travel

Kupina thekson se sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse.

„Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident“, deklaroi ai.