Kandiq: Serbia po e mundëson vjetërsimin e lëndëve për krime lufte në Kosovë

Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Serbi po e mundëson vjetërsimin e lëndëve për krime lufte në Kosovë. Kjo për faktin se sipas saj, të akuzuarit për vrasjen e 118 civilëve në fshatrat e Pejës më shpesh nuk paraqiten nëpër seanca gjyqësore që kanë nisur shumë vite më herët.

Kandiq, përmes platformës “X” ka shkruar se të akuzuarit për krime lufte në fshatrat e komunës së Pejës, ku kanë vrarë 118 civilë, si pjesëtarë të VTO UJ-së, nuk vijnë në 3 nga 8 seancat e planifikuara, kjo tregon se gjyqësori është ‘i prishur’.

Cani Travel

“Nëse të akuzuarit për krime lufte në fshatrat e komunës së Pejës, ku kanë vrarë 118 civilë, si pjesëtarë të VTO VJ-së, nuk vijnë në 3 nga 8 seancat e planifikuara, kjo tregon se gjyqësori është ‘i prishur’, që është të mbështetur nga fakti se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë në vitin 2014”, ka shkruar Kandiq.