Në Bruksel mbahet sot samiti i liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim marrin pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Në njoftimin e BE-së thuhet se Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në prag të takimit të sotëm në Bruksel, kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa vendeve i kanë shkruar shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak.
Kryesuesja e komitetit për punë të jashtme të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, ka shkruar në platformën ‘X’, se sot 13 kryetarë të komisioneve parlamentare në të gjithë Evropën kërkuan nga Josep Borrell t’i jepen fund të gjitha masave negative kundër Kosovës, të bëhet një hetim i plotë për sulmin në Banjska dhe të publikohen rezultatet e tij.
Letra është e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Çekisë, Irlandës, Lituanisë, Estonisë, Letonisë, Belgjikës, Kroacisë, Danimarkës, Italisë dhe Bullgarisë.